Pjesë nga Rregullorja e datës 11.07.2016 “Për Administrimin e Shërbimit të Parkimit Publik në Bashkinë Vlorë”
Neni 4: (1) Shërbimi i parkimit ka natyrë kontraktuale dhe publike (3) Me parkimin e mjetit në vendin e parkimit, drejtuesi i mjetit pranon të gjitha kushtet e përgjithshme të parkimit të përcaktuara në këtë rregullore dhe në aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
Neni 8: (1) Shërbimi i parkimit funksionon në mënyrë të pavarur nga ofruesi i shërbimit. Drejtuesit e mjeteve kanë detyrimin të paguajnë tarifën e parkimit në përputhje me kushtet e kësaj rregulloreje pavarësisht faktit nëse në vendin e parkimit janë prezent apo jo persona të autorizuar nga ofruesi i shërbimit përgjegjës për kontrollin. Klientët nuk kanë të drejtë të justifikojnë shkeljen e kushteve të parkimit me argumentin se nuk kanë informacion për sistemin e parkimit, se parkingmetri apo aplikacioni nuk funksionon, apo për çdo shkak tjetër të paparashikuar në këtë rregullore. (4) Koha e parkimit do të fillojë të llogaritet duke filluar nga minuta e parë e parkimit në vendin e parkimit. (5) Shërbimi i parkimit nëpërmjet biletave do të ofrohet nëpërmjet vendosjes së biletës përkatëse në një vend të dukshëm në xhamin e parë të mjetit në anën e drejtimit të mjetit. (6) Shërbimi i parkimit nëpërmjet parkingmetrave do të ofrohet nëpërmjet vendosjes së parkingmetrit në një vend të dukshëm në xhamin e parë të mjetit në anën e drejtimit të mjetit. (7) Shërbimi i parkimit nëpërmjet aplikacionit për smartphone do të ofrohet duke instaluar aplikacionin TISPARK në smartphone sipas udhëzimeve përkatëse dhe duke krijuar llogarinë e klientit në aplikacion. Pas kësaj proçedure klienti akseson llogarinë personale dhe fllon tarifmin e parkimit.
Neni 9: (1) Moskryerja e pagesës së tarifës nga ana e klientit brenda afatit të përcaktuar në këtë rregullore, si dhe kapërcimi i kohës së parkimit përtej kohës së paguar dhe të treguar në biletë, në parkingmetër ose aplikacion, përbën shkak për ofruesin e shërbimit që të zbatojë tarifat shtesë. (2) Tarifat shtesë synojnë mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve që paguajnë për shërbimin e parkimit, dhe ka për qëllim detyrimin e klientëve që të zbatojnë kushtet kontraktuale të parkimit sipas kushteve të kësaj rregulloreje, si dhe të shpërblejnë dëmin e shkaktuar si rezultat i shkeljes së rregullave të zbatueshme në mënyrë të barabartë për të gjithë klientët. (3) Tarifa shtesë e parkimit do të jetë në masën ALL 4500.00 (Katërmijë e pesëqind lekë), nëse ajo paguhet brenda tri ditëve nga dita e vendosjes. (4) Tarifa shtesë do të shtohet me ALL 600.00 (gjashtëqind lekë) për çdo ditë parkimi që kalon përtej afatit tre ditor të përcaktuar në pikën 3 të këtij neni. (5) Nuk do të llogariten sipas këtij neni ditët e pushimit javor dhe atij zyrtar.
Neni 10: (2) Ofruesi i shërbimit dhe personat e autorizuar prej tij kanë të drejtë të zbatojnë tarifat shtesë të parkimit ndaj të gjithë drejtuesve të mjeteve (apo pronarëve të mjeteve) të cilët shkelin kushtet e kohës së parkimit sipas kësaj rregulloreje. (3) Ofruesi i shërbimit ka të drejtë të vendosë bllokues në një nga rrotat e mjetit me qëllim detyrimin e shkelësit të rregullave të parkimit që të paguajë tarifën shtesë të kohës së parkimit. (4) Ofruesi i shërbimit mund t’i drejtohet njësive përgjegjëse të Policisë Bashkiake apo asaj rrugore për të marrë masa shtrënguese ndaj shkelësve të rregullave të parkimit sipas kësaj rregulloreje, përveç zbatimit të tarifave shtesë.
Neni 12: (1) Ofruesi i shërbimit nuk mban asnjë përgjegjësi në lidhje me dëmet, vjedhjet, apo për çfarëdolloj rreziqesh që mund të pësojnë mjetet gjatë kohës në të cilën janë të parkuara në vendet e parkimit. (2) Klientët janë përgjegjës për të gjitha dëmet që shkaktojnë ndaj ofruesit të shërbimit dhe ndaj të tretëve gjatë shfrytëzimit të parkimit. (3) Me qëllim mënjanimin e dëmeve, klientët këshillohet të ndjekin me kujdes procedurat e parkimit, dhe të respektojnë me rigorozitet vijëzimet përkatëse.
Neni 13: (1) Klientët kanë të drejtë të paraqesin ankesë me shkrim pranë zyrës së kujdesit të klientit, në rrugë postare, ose elektronike në kontaktet e publikuara në faqen zyrtare të ofruesit të shërbimit.